U mbajt programi i mevludit në Ulqin

Detai nga Mbramja fetare

Detai nga Mbramja fetare

Ulqin, 17. Janar – Me rastin e ditëlindjes së pejgamberit Muhammed s.a.s, në Qendrën për Kulturë në Ulqin u mbajt një program i pasur fetaro-artistik. Mysafirëve dhe të ftuarve special mirëseardhjen ua uroj kryeimami i Ulqinit mr. Ali Bardhi. Ai shprehu kënaqësinë me pjesëmarrjen në masë të besimtarëve në të gjitha aktivitetet e Këshillit të Bashkësisë Islame të Ulqinit dhe theksoi rëndësinë e lindjes së Muhammedit s.a.s. që ka për myslimanët dhe për gjith njerëzimin. Në mungesë të reisit z. Rifat Fejziq, në emër të Meshihatit, pjesmarrësit i përshëndeti mr. Behlul Kanaqi, i cili tha se Ulqini me aktivitete dhe takime të këtilla në mënyrë shembullore po e vazhdon këtë traditë të bukur Islame.
Programi vazhdoi me mysafirin nga Maqedonia prof.dr. Metin Izeti i cili mbajti ligjëratën me temën “Jeta e të Dërguarit”. Ai me një qasje filozofike empirike foli mbi dimenzionet e profecisë dhe dashurinë mes të Dërguarit dhe ndjekësve të Tij, duke theksuar se rëndësia dhe aktualiteti i të Dërguarit dhe profecisë vazhdon edhe sot. Të Dërguarit dhe misionit të tij duhet ti qasemi më metodologji bashkëkohore dhe ky shpirt i Islamit duhet të aplikohet në ditët e sotme – tha ai.
– më të dashurit e të Dërguarit janë ata që e ndjekin në mësime dhe sunnet, fshehurazi dhe haptazi. Nuk ka Islam vetëm në faltore pasi që besimtari është vet faltore. Ndjekja e Muhammedit s.a.s nuk është në imitimin e tij, por në ecje gjurmëve të tija. Në kohën e Muhammedit s.a.s. xhamia ishte parlament, gjykatë, shkollë, çerdhe, kjo nuk ishte se këto institucione kanë egzistuar diku jashtë xhamisë dhe janë futur në xhami, kjo është sepse këta institucione janë themeluar në xhami dhe me atë fryme janë zhvilluar – tha Izeti.
Duke folë për mevludin, tha se ai është një shprehje respekti ndaj të Dërguarit, sepse çdo respekt ka reflektimin e tij në manifestim. Në këtë kontekst Izeti përmendi tre forma të besimit: forma e sjelljes përmes imitimit; përmes kuptimit dhe argumentimit si dhe përmes përjetimit me shpirtë të fesë. Kështu që mevludi është një përjetim i fesë – tha ai dhe shtoi se të gjithë ata që duan ta zhveshin Islamin nga tradita, kultura dhe civilizimi janë armiqtë e Islamit dhe të gjithë njerëzimit.
Programi vazhdoi me këndimin e mevludit nga imami i xhamisë së Detarëve z. Besim Cura, dhe ka përfunduar me përformimin e ilahive nga grupi “Evladi Fatihan” nga Shkodra.
Në mbrëmje kanë marrë pjesë kryetari i komunës së Ulqinit Nazif Cungu, përfaqësuesi i Meshihatit të Turqisë Teufik Yucesoy, përfaqësuesi i bashkësisë Islame në Shkodër Ridvan Seferaj dhe shumë mysafir nga jeta fetare dhe publike.
M.D.

Tags:

No Comments

    Leave a reply